Rëndësia e lojës në zhvillimin e fëmijëve…

03/30/2018

Duke qëndruar një ditë në parkun e lojrave po vëzhgoja një vajzë të vogël e cila përcillte shumë lumturi dhe pozitivitet me buzëqeshjen e saj. Nuk mund të ishte më shumë se 4-5 vjeç. Si të gjithë moshatarët ishte duke eksploruar lodrat me të cilat do të luante dhe po provonte lojra të ndryshme. U var te lisharsja dhe po rrotullohej, dëgjoj një zë që vinte nga pak më larg: "Jo ashtu të keqen babi, ajo që po bën ti nuk është lojë, ti je një vajzë e rritur e duhet të luash me kujdes që të mos bëhesh pis"... Pash sesi vajza e lëshoi menjëherë litarin, njëkohësisht zëvendësoi edhe buzëqeshjen me një hije trishtimi. Ndoshta kishte dëshirë të vazhdonte të luantë me atë lojë, ndoshta u mërzit që babai i saj nuk e kuptoi sesa interesante ishte loja që ajo vet kishte shpikur, ose ndoshta thjesht u ndje keq që nuk po plotësonte pritshmëritë e babait të saj duke mos u sjellë si një vazjë e rritur.

Loja është një lloj terapie edukuese për fëmijët. Loja te fëmijët nxit imagjinatën, të qënurit spontan, të qënurit i pavarur dhe realist. I ndihmon ata të njohin veten dhe të kenë nivel më të lartë vetëkontrolli, nxit iniciativën dhe i ndihmon që të shfaqin aftësitë konjitive, ndihmon në shkarkimin e disa emocioneve dhe rrit nivelin e vetbesimit dhe vetëvlerësimit. Është shmë e rëndësishme që fëmija të nxitet të luajë dhe të jetë sa më spontan dhe më i lirshëm gjatë lojës

Nëse do të kuptosh apo njohësh një fëmijë atëherë thjesht luaj me atë. Është shumë e lehtë ti tregosh një fëmije se çfarë duhet të bëj dhe se çfarë jo, por është shumë e vështirë të kuptosh se si ndihen ata në lidhje me këtë gjë nëse ne nuk i lejojmë të shprehin veten. Komunikimi me fëmijët është pak i vështirë sepse ata e kanë të vështirë të tregojnë si ndihen në lidhje me një situatë. Për këtë arsye mënyra më e mirë për ta kuptuar gjëndjen emocionale të fëmijës është të luajmë me atë. Të shikojmë sesi ai manipulon lodrat e ndryshme, si i trajton ato, a sillet me delikatesë apo me inat dhe agresivitet.

Një lojë tregon shumë për një fëmijë. E ndihmon atë të shkarkojë e të tregojë si ndihet dhe varet nga aftësia e ne të rriturve nëse do dimë ta lexojmë. Është shumë e rëndësishme që të mos e pengojmë një fëmijë në lojën e tij. Loja është e vetmja mënyrë që fëmijët kanë për të luajtur, mësuar, shprehur dhe zhvilluar. Nëse edhe këtë do e kontrollonim ne atëherë fëmija do të ndihej i burgosur, do ndihej i ndrydhur, i irrituar, do të rriste ndjenja faji, turpi, do të krijonte varësi nga të tjerët dhe do të ndëmerrte më pak iniciativa në krahasim me fëmijët e tjerë.

Nuk duhet ta bëjmë fëmijën të ndihet i vëzhguar apo i gjykuar gjatë kohës që ai luan. Nëse dëshirojmë që fëmija të jetë i lumtur duhet të përfshihemi në lojën e tyre që të ndihen të sigurtë, të mund ti përcjellim mesazhin se ajo që ata bëjnë është e rëndësishme dhe interesante. Kjo e bën fëmijën të ndihet i vlerësuar dhe të kuptojë se çdo gjë që ai ndjen, bën dhe shpreh është e rëndësishme.

Është shumë e rëndësishme që loja në të cilën fëmijët përfshihen të respektohet dhe nëse këtë lojë është përfshirë imagjinata e një fëmije atëherë ajo duhet të përgezohet dhe jo të gjykohet. Nëse një fëmije do i tregojmë si të luajë dhe se mënyra sesi ai po luan është e papërshtatshme atëherë kjo mund ta bëjë fëmijën të ndihet i gjykuar dhe të nxisë ndjenjat e fajit dhe turpit.

Është po aq e rëndësishme që të gjithë elementët imagjinarë të lojës të përgëzohen dhe të nxiten nga ana e prindërve pasi e ndihmon fëmijën të rrisë nivelin e vetëvlerësimit dhe të ndërmarrë më shumë iniciativa. Nëse loja e tyre do të kritikohet atëherë ata me shumë mundësi do ta braktisin lojën, do të ndihen në faj dhe nuk do të ndërmarrin më iniciativa për tu përfshirë në një lojë vetëm, me të tjerë apo në një lojë imagjinare. 

K.Z

Create your website for free! This website was made with Webnode. Create your own for free today! Get started