Rruga drejt identifikimit dhe ndërhyrjes së hershme

01/26/2020

 Vazhdimisht është theksuar që ndërhyrja e hershme është thelbësore për të punuar me fëmijët që kanë vonesa në të folur. Programet e trajtimit janë shpesh më efektive kur fillojnë në moshë të hershme. Megjithatë, është shpesh e vështirë për prindrit të vendosin nëse fëmija i tyre i vogël ka vërtet një vonesë në të folur, apo është thjeshtë "i ngadaltë në të folur".

Shumë prindër janë të paqartë nëse vëzhgimet e tyre tregojnë për një vonesë thelbësore në të folur, apo thjesht paraqesin të folur pak më të vonshëm, çka është tipike për shumë fëmijë. Edhe kur prindërit fillojnë të kenë shqetësime lidhur me zhvillimin gjuhësor të fëmijëve, ata janë shpesh të paqartë kur duhet të kërkojnë ndihmë profesionale. Prindërit vazhdimisht dëgjojnë histori nga shokë apo të afërm të tyre për fëmijë që nuk kanë folur deri në moshën 3 apo 4 vjeçare, dhe më vonë kanë filluar të flasin normalisht. Kjo situatë komplikohet edhe më shumë nga fakti që disa fëmijë me vonesa në të folur, mund të zhvillohen në mënyrë natyrale në të gjitha aspektet e tjera. Dhe si rezultat, nëse veç vonesave gjuhësore, nuk ka tregues të tjerë të fortë për çrregullime apo probleme zhvëllimore, (si psh vështirësi në ndërveprimin social, aftësi të dëmtuara motorike, interes të veçantë për objekte specifike), prindërit vazhdimisht "shpresojnë për më të mirën" dhe mendojnë se si përfundim aftësitë gjuhësore te fëmijët e tyre do të zhvillohen. 

Kur shqetësimet e prindërve për vonesat e dukshme në përvetësimin gjuhësor bëhen gjithnjë e më të mëdha, ata shpesh ua shprehin vëzhgimet e tyre mjekëve pediatër. E megjithëse ka një ndërgjegjësim profesional në rritje për çrregullimet zhvëllimore që shoqërohen me vonesa gjuhësore, profesionistët ende priren të gabojnë me fëmijët e vegjël. Zakonisht, mjekët pediatër shmangin përfundimet se problemet që fëmijët shfaqin mund të jenë të natyrave më serioze, prandaj në shumë raste shqetësimet e prindërve zhbëhen dhe ata rinisin të shpresojnë se aftësitë gjuhësore te fëmijët do fillojnë të zhvillohen tipikisht; me vonesë, por do të ecin përpara. Kjo situatë, është konfirmuar vazhdimisht nga prindër të fëmijëve me autizëm. Një nënë dëshmon se "Mjekët pediatrër, tipikisht mohojnë ose nënvlerësojnë problemin derisa gjendja e fëmijëve përkeqësohet deri në atë pikë ku neuro-pediatri, psikologu, ose psikiatri do të konfirmojnë frikën tonë. Dhe vetëm në këtë mënyrë problemi përcaktohet prej tyre, si vonesë në zhvillimin e aftësive të komunikimit, apo si çrregullime të tjera zhvillimi (autizëm, vonesë mendore, çrregullimet e gjuhës së folur)."

Kështu, prindërit e fëmijëve me vonesa gjuhësore, konsultohen me shumë profesionistë para se të marrin tregues të qartë për seriozitetin e vonesave gjuhësore të fëmijëve. Sidoqoftë, koha gjatë së cilës merret ky informacion, është kohë e humbur për zhvillimin e fëmijës, për aq kohë sa asnjë plan ndërhyrje nuk është zhvilluar. Veç kësaj, ndodh që gjatë kësaj kohe, prindrit fillojnë të venë në pikëpyetje aftësitë e tyre për t'u mësuar fëmijëve aftësitë e nevojshme dhe fillojnë gjithashtu, të kenë frikë se mos përkeqësojnë problemet e fëmijëve të tyre.

Sapo natyra e vonesave fillon të shfaqet, duhet të ndërtohet sa më parë programi i ndërhyrjes për ta ndihmuar fëmijën për përvetësimin gjuhësor. Në shumë situata, fëmijët përfitojnë shumë nga ndërhyrja e hershme intensive vetëm nga patologu i gjuhës dhe të folurit. Megjithatë, për disa fëmijë është e vështirë të bëhen pjesë në seancat e tyre të trajtimit gjuhësor, të tjerëve u mungon aftësia për të ndjekur komandat, ndërkohë që të tjerët angazhohen në sjellje shqetësuese. Prindrit shpesh janë të paqartë nëse fëmijët kuptojnë apo jo çfarë u kërkohet atyre, prandaj ata janë të paqartë çfarë të kërkojnë për fëmijët e tyre që t'i ndihmojë të mësojnë sa më shumë aftësi.

Në përpjekjet për të siguruar shërbimin më efektiv të ndërhyrjes për fëmijën, prindrit si fillim i drejtohen shërbimeve të siguruara nga sektori social në shkollën e fëmijëve të tyre. Sepse, tashmë, në shkollat lokale ka një varietet opsionesh socio-edukative për fëmijët me vonesa gjuhësore apo zhvëllimore. Shumë fëmijë mund të përfitojnë nga kjo gamë e shërbimeve në shkolla. Megjithatë, shumë fëmijë e kanë të pamundur të bëjnë një progres domethënës vetëm nga gama e shërbimeve që ofron shkolla. Ky është një problem i hasur shpesh te fëmijët me autizëm. Kërkimet shkencore sugjerojnë që ndërhyrja e hershme dhe intensive është kritike për progresin e fëmijëve me vonesa zhvëllimore. 

Çdo fëmijë është një individ unik. Prandaj, është e nevojshme për të përcaktuar individualisht nevojat e fëmijëve dhe të hartohet një plan ndërhyrje që adresojnë drejtëpërdrejtë këto nevoja. Është jashtëzakonisht i rëndësishëm që si prindrit edhe edukatoret të dinë metodën më efektive për zhvillimin e aftësive gjuhësore te fëmijët, dhe të dy ata të dinë si të ndërhyjnë në një mënyrë të tillë që të shmangin dhe reduktojnë sjelljet shkatërruese. Si rezultat i nevojave indiviuale të fëmijës, bëhet e qartë që vlerësimi specifik dhe mësimi i aftësive duhet të bëhet nga psikologë apo terapistë zhvillimi që punojnë me fëmijët me vonesa të ndryshme zhvëllimore. 

Përkthyer dhe përshtatur nga anglishtja,

I. Aliraj

Create your website for free! This website was made with Webnode. Create your own for free today! Get started