Prindrit pyesin

03/26/2018

Pyetja:

Përshëndetje. U bënë më shumë se 3 muaj që fëmija im 3 vjec e gjysmë tashmë shkon në kopësht. Situata më e vështirë si për të dhe për ne. E ka pasur shumë të vështirë të përshtatet, qante dhe nuk hante aspak. Ne jetojmë jashtë dhe fëmija im ka dhe problemin e gjuhës ku jetojmë. Kupton dhe flet shumë pak. Shqipen e flet shumë mirë. Ajo që më ka shqetësuar është se kohët e fundit sidomos, vazhdon të qajë, të mos dojë të shkojë dhe të mos hajë asgjë atje. Me edukatoret nuk ka asgjë, janë të mira thotë, sillen mirë por na kërkon ne prindërit. Edukatoret përveç kësaj po më thonë që nuk luan me fëmijët e tjerë, detyrohen dhe përpiqen ta afrojnë ato. Por kjo gjë nuk po ndodh vetëm në kopësht, po ndodh edhe ne ambjente me fëmijë ku dalim. Kur shikon një ambjent të mbyllur (lokal apo qëndra të tjera me lodra) dhe nuk dëshiron të luaj, qëndron ulur me ne. Te shkoj vetëm të luaj nuk bëhet fjalë, por edhe nese e çojmë ne, do rrij pak dhe do filloj të qajë. Kjo situatë po ndodh muajt e fundit. Përpara dëshironte të luante, por të ishim dhe ne diku afër. Fëmijët i ka dashur dhe i do, nuk ngacmohet madje ka dhe 2 fëmijë të tjerë shqiptarë shok, por që janë pak më të mëdhenj se ai dhe me ato luan. Kam vënë re që dhe kur ambienti është më pak i populluar me fëmijë afrohet dhe është pak më i qetë. Në ambjente të hapura, si parqe gjithashtu sjella e tij është pak më ndryshe. Nuk e di si të veproj. Nuk e di ku qëndron problemi. Ju lutem do më ndihmonte shumë mendimi juaj. Me falni qe e zgjata.

Përgjigjia:

Përshëndetje e dashur. Faleminderit që e ndatë shqetësimin tuaj.

Mosha 2 - 5 vjeç është një periudhë tranzicioni ku fëmija duhet të përshtatet me ndryshimet e rutinës dhe me mjediset e reja si kopshti. Në këtë periudhë fëmija ka nevojë për mbështetje dhe për siguri. Ajo që është e rëndësishme në këtë moshë është pranimi nga të tjerët dhe të ndjerit i kuptuar. Një fëmijë që ka vështirësi në komunikim për shkak të interferimit të dy gjuhëve të ndryshme e ka pak të vështirë për të iniciuar një komunikim me moshatarët. Ajo që mund të kuptoj nga situata që ju keni përshkruar është se fëmija juaj ndjen pasiguri me moshatarët e tij për shkak të vështirësive në komunikim. Në këtë moshë ende nuk janë sofistikuar aftësitë e komunikimit dhe fëmijët e kësaj moshe e kanë të vështirë të komunikojnë. Përceç kësaj vështirësie të moshës, fëmija juaj kupton dhe flet shumë pak gjuhën e vendit ku ju jetoni dhe kjo gjë rrit pasigurinë, nevojën për mbështetje, rrit nivelin e ankthit dhe tërheqjen sociale. Ai luan me fëmijët që flasin shqip, kjo do të thotë që me ata ndihet mirë, nuk e di nëse ka nevojë për praninë tuaj kur luan me fëmijët shqiptarë, fakti që i kupton dhe mundet t'u përgjigjet i jep siguri.

Përpiquni të flisni dhe tja shpjegoni situatën fëmijës suaj. Përpiquni ti tregoni se ju e kuptoni dhe jeni aty për atë sa herë që ai/ajo të ketë nevojë. Nëse keni dëshirë të mësoni arsyet e sjelljeve të caktuara bëjini pyetje të thjeshta dhe të drejtëpërdrejta. Përpiquni që kur të bisedoni me fëmijën të mos bëni pyetje gjykuese si "pse?" "çfarë ke?", ", "mos u sill kështu" "je djalë i rritur' përqëndrohuni më shumë te emocionet e tij dhe shpjegojini që është normale që ai ndjehet i pasigurt dhe ka vështirësi sepse jeni në vend të huaj. Tregojini që edhe ju keni pasur vështirësi me komunikimin kur u shpërngulët. Tregojini situata të ngjashme ku ju jeni ndjerë e pasigurt dhe keni zgjedhur të tërhiqeni, kështu do i tregoni se ju e dini dhe e kuptoni sesi ndihet ai/ajo. Kështu ai/ajo do ndihet i/e kuptuar dhe do zbuloj se pasiguritë dhe vështirësitë janë pjesë e çdokujt edhe e të rriturve. Komunikimi do i'u ndihmojë të kuptoni më shumë fëmijën, dhe fëmijën tuaj do e ndihmojë të ndihet i mbështetur, më i sigurtë në vetvete dhe të ndjejë më pak ankth. Nëse doni të ndërtoni një marrdhënie të ngrohtë dhe suportive prind - fëmijë, çdo gjë do të shkojë mirë J.

I.Alikaj 

Create your website for free! This website was made with Webnode. Create your own for free today! Get started