Përqëndrimi, i pamundur për fëmijën tuaj?

04/30/2020

Kur flasim për "përqëndrimin" problematik të fëmijëve, dhe veçanërisht të fëmijëve që paraqesin një vështirësi apo një vonesë të caktuar, duhet të mbajmë gjithmonë nën vëmendje se sa dinamike dhe unike është kjo aftësi te ta. Ndërkohë që mbingarkesa shqisore shesh herë i çon në mungesë përqëndrimi, nuk është çudi që fëmijët në një moment tjetër t'i shohim të hiperfokusuar. Dhe e gjithë kjo i atribuohet fushës së tyre të interesit. Një fëmijë që e ka të pamundur të përqëndrohet në dëgjimin e një përralle, mund të fokusohet plotësisht në llogaritjet matematikore. Një tjetër fëmijë nuk mund të përqëndrohet të shkoj rruazat në peh, por mund të ketë shumë interes në lojën me makina.

Pra, mungesa e përqëndrimit është në fakt zgjedhje. Dhe përpara se të prisni që fëmija juaj, brenda kohës së përcaktuar, të fillojë dhe të përfundojë një detyrë, qoftë ajo detyrë shkollore ose jo, gjithçka që duhet të bëni është t'i jepni fëmijës suaj një ndihmë për ta zhvilluar më tej këtë aftësi.

  • Kujdesuni që vazhdimisht të vendosni dhe të ruani kontaktin me sy me fëmijët tuaj!

Është shumë e rëndësishme të vazhdoni ta bëni këtë gjë, edhe në kushtet ku gjithçka duket se ka ndaluar apo ka ndryshuar. Vendosja e kontaktit me sy i ndihmon fëmijët të drejtojnë vëmendjen e tyre edhe jashtë fushës së tyre të interesit. Dhe gjithashtu, siguroheni që fëmija po ju dëgjon dhe ju e keni vëmendjen e tij. Tregohuni të durueshëm!

Sigurohuni të minimizoni shpërqëndruesit e tjerë.

Telefonat, televizorët, tabletat, objektet, ngjyrat, dritat, aromat apo zërat dhe stimuj të tjerë shpesh herë bëhen pengesë për përqëndrimin e fëmijëve gjatë kohës së caktuar për të përmbushur një qëllim apo një detyrë specifike. Është mirë që në momentin e detyrës të përpiqeni të minimizoni ekspozimin e fëmijës ndaj këtyre shpërqëndruesve.

  • Angazhoni fëmijën tuaj në aktivitete me interes për të!

Loja është një mënyrë e dobishme për të zhvilluar përqëndrimin. Kujdesuni të zgjidhni vetëm ato aktivitete apo lojra që fëmija juaj pëlqen. Do të ishte ideale nëse këto aktivitete do të përfshinin njerëz apo ndërveprim, prandaj përpiquni të bëheni kreativ. Edhe nëse fëmija juaj pëlqen vetëm të rrotullojë topin, do të ishte mirë të përpiqeni të zhvilloni një lojë së bashku; të uleni edhe ju pranë fëmijës suaj dhe të rrotulloni topin drejt njëri-tjetrit. Ndër të tjera ndërveprimi social, i ndihmon fëmijët të përqëndrohen dhe të kuptojnë edhe shenjat joverbale të komunikimit (toni i zërit, mimika, gjuha e trupit, etj).

  • Bëni aktivitete të shkurtra bazuar në prioritetin tuaj!

Në rastin kur përpiqeni të zhvilloni aftësinë e fëmijës suaj për t'u përqëndruar, do të ishte mirë që të përzgjidhnit disa aktivitete që përputheshin me këtë qëllim. Filloni nga aktivitetet më të thjeshta në ato më të vështira. Psh mund të nisni me futjen e kubave në kuti si një ndër aktivitetet më të thjeshta, e deri te aktiviteti me rruazat në peh apo plotësimi i labirinteve si aktivitetet më të vështira. Punoni çdo ditë për qëllimin e përcaktuar nëpërmjet aktiviteteve të zgjedhura. Aktivitetet e ndryshme bëjnë që fëmija juaj të mos e humb interesin. Ju do të kaloni në një aktivitet tjetër, nëse fëmija juaj ka zotëruar aktivitetin e mëparshëm.

  • Përsërisni çdo gjë që thotë apo bën fëmija juaj!

Fëmijët bëhen kuriozë se çfarë do bëni më pas, prandaj do të kthejnë vëmendjen te ju. Ndoshta kjo do të vazhdojë si një lojë imitimesh. Është ok. Fëmija është duke u përqëndruar në komunikimin me ju. Kjo është një mënyrë shumë e mirë për t'i ndihmuar fëmijët të bëhen më të vetëdijshëm për veprimet e tyre dhe i ndihmon ata që të jenë më të përqëndruar.

  • Shpërbleni fëmijën tuaj kur përqëndrohet!

E rëndësishme është të shpërbleni fëmijën jo vetëm për sjelljen, por edhe për çdo përpjekje të tij të vogël. Është mirë t'i shprehni sa i gëzuar apo krenar ndiheni. Sigurohuni që shpërblimi është pozitiv, i lehtë për t'u kuptuar dhe specifik për aftësinë që doni të zhvilloni. Nuk është e lehtë, por me praktikë të vazhdueshme, ju do të përmirësoni aftësinë e fëmijës suaj për t'u përqëndruar.

  • Inkurajoni ushtrimet fizike!

Çdo lloj lëvizje apo ushtrimi; ecje, vrap, hedhje, shtytje, ulje-ngritje apo kërcim, është i dobishëm për t'u bërë çdo ditë me fëmijët. Ushtrimet e ndihmojnë fëmijën të përqëndrohet. 

I. Alikaj

Create your website for free! This website was made with Webnode. Create your own for free today! Get started