Një vit me mua!

02/27/2020

"Kam katër vite që pres të më thërrasë nënë..."

Teksa shqipton këto fjalë, sytë e Edmirës prekin tokën e fytyrën ia përshkon një fije shprese. Është shpresa e një nëne për të përjetuar emocionin e thirrjes së parë. Tashmë ditët e muajt janë kthyer në vite e Henri i vogël s'po mundet t'i japë 'shpërblimin e mëmësisë'. Fati deshi që ai të ishte ndryshe.

"Me kalimin e kohës e kuptova që nuk ishte si të tjerët. Nuk fliste, nuk kuptonte, bëhej agresiv, kërkonte medoemos gjërat e veta. Kur vinin fëmijët e motrës në shtëpinë tonë, ai nuk përfshihej në lojëra me ta. E aty mendova se diçka nuk shkonte me të", - thotë Edmira.

Ajo ende nuk e ka një diagnozë për sëmundjen e të birit. Tërmeti i 26 nëntorit preu në mes jetë njerëz, përditshmëri dhe veprimtari normale, por edhe trajtimin e Henrit. Për rreth 10 ditë ai shkoi në Qendrën Komunitare të Mirërritjes, Zhvillimit dhe Rehabilitimit të Fëmijëve në Kombinat, e ndërsa ishin afër marrjes së rezultatit, trajtimi u ndërpre e diagnoza mbeti pezull. Përveç të qenit një fëmijë me aftësi të veçanta, që kërkon një trajtim specifik, Henri ka edhe një problem të dytë shëndetësor, por Edmira as për këtë nuk e ka një diagnozë mjekësore. Shpesh të birin e gjen të mbytur me gjak nga hundët. Nuk ka pasur mundësi ta çojë në spital, për shkak të mungesës së parave, por edhe pamundësisë për të marrë leje nga puna, pasi nëse largohet i tregojnë rrugën. "I del gjak nga hundët kur shqetësohet, kur bëhet nervoz, kur më sheh mua në gjendje jo të mirë, pasi ai është shumë i ndjeshëm. Ka pasur raste që edhe në kopsht e kam gjetur në gjendje të tillë. Nuk e di arsyen e vërtetë përse i ndodh. S'kam pasur mundësi ta vizitoj", tregon ajo.

Pas ndarjes nga bashkëshorti, i cili ishte i paaftë për t'u kujdesur për ta dhe ushtronte dhunë, Edmira nisi një jetë nga e para me të birin. Mori një hyrje të vogël, në Babrru, një dhomë të vogël me një hapësirë të përshtatur në kuzhinë.

Dikur një mësuese në qytetin e saj të lindjes, në Tropojë, sot një punonjëse fasonerie në Tiranë, me një pagesë minimale 24 mijë lekë, ajo përpiqet që të mbulojë shpenzimet e qirasë (15 mijë lekë) dhe kopshtit privat të Henrit (6mijë lekë). Ato kurrë nuk mjaftojnë! "Shpesh herë marr borxh, ose tek puna, ose tek të njohur në lagje. Një muaj ia kthej dikujt, e muajin tjetër, ia kthej një tjetri. Ata më njohin, e dinë që jam korrekte, që mbaj fjalën, që nuk gënjej, prandaj më ndihmojnë me para. Ndërsa veshëmbathje kam marrë tek xhamia "Dine Hoxha"", tregon ajo.

Ajo tregon si është detyruar ta regjistrojë të birin në kopësht privat. Ai është 4 vjeç, por për shkak të vështirësive dhe problematikave në zhvillim, Edmirës i është bërë e pamundur t'ia heq bebeliën. Ai nuk mund ta përdorë ende tualetin dhe për këtë fakt kopshtet shtetërore nuk e pranojnë.

Historia nuk mbaron këtu, as vuajtja, as shpresa!

Pas asaj 30-vjeçareje të imët, të zbehtë, fshihet një forcë e madhe për të luftuar dhe një guxim i pandalshëm për të shpresuar. Edmira e ka sfiduar dhimbjen dinjitetshëm, e i ka treguar asaj se s'do t'ia rrëzojë kurrë buzëqeshjen prej fytyrës, as çiltërsinë prej shpirtit. Sepse pavarësisht gjithçkaje, ajo ka diçka të pazëvendësueshme, shpresën e një nëne. E në këtë pikë, e mund vetëm fryma e fundit.

Nuk është beteja e parë. Ka kaluar shumë të tilla, aq sa tashmë i tregon si historitë e dikujt tjetër. "Më duket sikur nuk jam unë, sikur i ka jetuar dikush tjetër të gjitha këto, sikur është jeta e tjetërkujt, aq shumë gjëra kam kaluar. Tashmë nuk dua gjë tjetër, dua që Henri im të ketë një jetë normale, të trajtohet e të jetojë një fëmijëri të mirë. Jam gati të bëj gjithçka për të, madje të jap edhe jetën", thotë ajo mes dhimbjesh.

Kur Henri ishte ende bebe, u sëmur nga një infeksion në sy. Historia e tij atëherë u bë mediatike, e sensibilizimi ishte i madh nga shumë persona që patën dëshirën dhe mundësinë për të kontribuar në shërimin e tij. Por ditët e errëta s'kanë marrë fund ende për këtë vogëlush. Ai ka ende nevojë për ju dhe për ne!

Edmira shpreson që minimumi të marrë KEMPIN për të voglin e saj, që të mbulojë disa nga shpenzimet e t'iu largohet borxheve. Organizata "be puzzle" po e mbështet këtë familje të vogël në rrugëtimin e gjatë e të vështirë të diagnostikimit dhe përgatitjes së proçedurave dhe dokumentacioneve për kemp. Por Henri ka nevojë për shumë e më shumë. Ai ka nevojë për trajtim e terapi, për të përmirësuar disi problemin e tij. E mbi të gjitha ai meriton më shumë!

Është koha të kthejmë vështrimin drejt këtij 4-vjeçari që duhet të jetojë fëmijërinë e tij. As nëna e tij nuk duhet të presë më shumë që i vogli i saj t'i thërrasë nënë. Pritja qëndron bukur në legjendat e së kaluarës, por në realitet ajo bëhet një dhimbje torturuese dhe e pafundme!

L. Pinderi

Create your website for free! This website was made with Webnode. Create your own for free today! Get started