Kur fëmijët nuk na dëgjojnë...

04/17/2020

Shumë prindër gjenden në vështirësi dhe raportojnë vazhdimisht që fëmijët e tyre nuk i dëgjojnë apo nuk i zbatojnë kërkesat e tyre, edhe pse ata ua thonë ato dhjetëra apo qindra herë.

Sot dua të flas pikërisht për këtë gjë dhe të diskutojë ndoshta disa nga qasjet më efektive që ju prindër mund të përdorni për të thyer këtë zakon të keq të fëmijëve tuaj; t'i ndihmoni ata të jenë më bashkëpunues me ju apo dëgjues më të mirë të asaj që ju i thoni.

Eshtë për të gjithë ju që jeni prindër, kështu që ndihuni pjesë e saj, edhe nëse fëmijët tuaj shkojnë në kopësht, në klasë të parë apo të dytë, kanë rezultate të shkëlqyera apo të dobëta akademike, kanë vështirësi në komunikim, në të folur, në përqëndrim, probleme në sjellje, hiperaktivitet apo edhe vështirësi të tjera. Nuk ka rëndësi asnjë nga këto, sepse në thelb të kësaj qëndron vetëm marrëdhënia dhe lidhja që ju krijoni me njëri-tjetrin.

 Atëherë çfarë të keni parasysh në këto raste?

  • Bëni një komunikim cilesor.

Çfarë do të thotë kjo? Uluni në nivelin e fëmijëve tuaj, përballë tij, në mënyrë që të jeni gati në të njëjtën lartësi, thirreni në emër dhe sigurohuni që të merrni kontaktin me sy, kështu siguroheni që fëmija juaj është duke ju dëgjuar. Ky është momenti i duhur për të bërë kërkesën tuaj. Sigurohuni që ajo të jetë e sjellshme, e shkurtër, e kuptueshme për fëmijën tuaj dhe të tregojë qartë çfarë prisni prej tyre. Psh nëse ka ardhur momenti që fëmija juaj të bëj detyrat, ju mund t'i thoni "të lutem, tani është koha të bësh detyrat". Kur fëmija juaj ka mbaruar së luajturi dhe i ka lënë lodrat e tij të shpërndara gjithandej, dhe nëse ju i thoni "mos i lër lodrat të shpërndara kështu", në fakt nuk po i tregoni asgjë atij dhe fëmija nuk po e kupton çfarë doni t'i thoni. Kërkesë e qartë do të ishte "të lutem, është koha të mbledhësh lodrat tani." Kini parasysh, gjithashtu të mos e bëni kërkesën në formën e një pyetje, nëse fëmija juaj duhet ta zbatoj patjetër atë kërkesë. Sepse nëse do ta pyesni kështu "a mund t'i mbledhësh lodrat?" i jepni mundësinë që të përgjigjet me jo.

Nëse fëmija juaj nuk e ndjek udhëzimin tuaj, atëherë ju do të ishte mirë ta njihnit atë me pasojat e këtij mos veprimi. Dhe pasoja duhet të jetë e lidhur drejtëpërdrejtë me sjeljen e fëmijës, sa herë që është e mundur.

Psh, nëse fëmija juaj është duke luajtur me shokun e vet në park dhe nuk vjen kur ju i keni thënë që është koha për të ikur, mund ta përsërisni udhëzimin tuaj edhe një herë, por jo më shumë. Sepse nëse ju e përsërisni vazhdimisht këtë, ndërkohë që ai vazhdon lojën, ai merr këtë mesazh "ah ok nuk ndodh asgjë, unë mund të vazhdoj të luaj ndërkohë që mami vazhdon të më flas". Ajo çfarë duhet të bëni nëse fëmija juaj nuk iu përgjigjet në kërkesën e dytë, është të shkoni ta merrni atë dhe të shkoni në shtëpi. Dhe këtë duhet ta bëni në mënyrë të vazhdueshme në të njëjtën formë, derisa fëmija juaj ta kuptoj se ajo çfarë ju i thoni është me rëndësi dhe duhet të zbatohet. Ose një rast tjetër mund të jetë; fëmija juaj është duke rrotulluar vazhdimisht rrotën e makinës, ju i keni thënë "luaj bukur me makinën", ai vazhdon po njësoj, ju ia largoni makinën.

Por, ka disa raste kur nuk ka pasojë të lidhur drejtëpërdrejtë me veprimin, sepse veprimi i fëmijës mund të jetë diçka e tillë; ai gjuan motrën e tij, kafshon shokun e vet, hap dhe mbyll derën, fik dhe ndez vazhdimisht dritën. Në këto raste mund të përdorni atë që e quajmë "time aut", duke e ulur psh fëmijën tuaj në karrigen e reflektimit apo duke e zhvendosur në këndin që ju keni përcaktuar për të menduar mbi gabimet. Kohën që do ta lini te karrigja apo këndi i përcaktuar mund ta vendosni ju në varësi të moshës së fëmijës, psh 3 minuta për 3 vjeç, 4 për 4 vjeç etj.

Aplikoni pasojat e sjelljes në mënyrë të vazhdueshme dhe të qëndrueshme.

      • Siç e tham edhe në fillim, ky zakon i keq i fëmijëve, në fakt ka të bëjë me lidhjen apo marrëdhënien tuaj.

Ka më shumë mundësi që një fëmijë nuk ju bindet apo nuk ju dëgjon sepse në këtë formë ai mundet tiu shpreh që ju nuk keni një marrëdhënie të fortë apo shumë cilësore me njëri-tjetrin. Pra, është një lloj kërkese për ndihmë që ai mund të bëj. Por çfarë ju mund të bëni? Përpquni të përmirësoni marrëdhënien tuaj. Luani me të duke u ulur në tapet dhe duke luajtur bashkë me makinat apo legot e preferuara, shikoni bashkë kukullat e preferuara, bisedoni për to, dhe më e rëndësishmja dëgjojeni edhe ju fëmijën tuaj. Nëse mendoni "unë po e bëj këtë, por ai prap nuk më dëgjon", ndoshta është momenti të kuptoni se nuk po bëni mjaftueshëm. Mbani mend, nëse ju keni një marrëdhënie të fortë me fëmijën tuaj, do të ketë më shumë gjasa që ai t'iu dëgjoj dhe t'i ndjek udhëzimet tuaja, sepse nuk do kurrsesi të cënoj marrëdhënien e bukur që ju keni krijuar.

I. Alikaj

Create your website for free! This website was made with Webnode. Create your own for free today! Get started