Disa këshilla si t’i ndihmojmë fëmijët të përqëndrohen!

04/30/2020

"A mund të ndalosh së luajturi dhe të mbarosh detyrat?"

Shpesh herë, për shumë prindër, bëhet një sfidë e vërtetë ta ndihmojnë fëmijën e tyre të ulet, të përqëndrohet në detyrat e shtëpisë dhe t'i përfundojnë ato pa u shpërqëndruar shumë. Ne nuk mund të presim nga fëmijët që ata të mos shpërqëndrohen fare, sepse natyrshëm ata janë shumë energjik dhe kuriozë. Mirëpo, ajo çfarë mund të bëjmë është t'i ndihmojmë fëmijët të përmirësojnë përqëndrimin ndërkohë që studiojnë.

Provoni të konsideroni udhëzimet e mëposhtme. Për shumë prindër kanë rezultuar të suksesshme!

  • Siguroni një ambjent pa shpërqëndrues!

Së pari do të ishe mirë të përcaktoni cili do të jetë këndi i studimit. Është e rëndësishme të fiken apo të mbahen larg dhomës së studimit të gjitha pajisjet teknologjike që keni, si televizori, Ipadi, tableta, celulari etj. Po kaq e rëndësishme është edhe që materialet e nevojshme për kohën e studimit të jenë të arritshme; librat, fletoret, lapsi, stilolapsi, mjetet e tjera të punës, madje edhe uji. Mbani gjithçka që kërkohet pranë, në mënyrë që fëmija të mos ketë nevojë të ngrihet për të marrë diçka. Mund t'i mbani ato mbi tavolinë ose shumë pranë saj.

  • Krijoni një rutinë për t'u ndjekur!

Është e rëndësishme të mbani një program për fëmijën tuaj, edhe nëse është programi më fleksibël. Programi ndihmon në menaxhimin e kohës, dhe ç'është më e rëndësishme, programi mban të informuar fëmijën për çdo gjë dhe i jep atij mundësinë të përgatitetet dhe të ndihet gati për aktivitetin e rradhës. Në kushte të tilla, fëmija do të jetë më i përqëndruar.

  • Lajmëroni paraprakisht fëmijën tuaj për aktivitetin e rradhës!

Ndërkohë që fëmija juaj është në një aktivitet, ju mund t'i tregoni atij cili aktivitet e ka rradhën. Do të ishte mirë ta lajmëroni atë disa minuta përpara, kjo i jep gjithashtu mundësinë të përgatitet. Psh nëse fëmija juaj është duke luajtur me makina dhe po afron momenti për të bërë detyrat, ju mund t'i thoni "Mund të luash edhe 5 minuta dhe pastaj do të fillojmë së bashku studimin."

  • Ndani detyrat më të gjata në detyra më të shkurtra!

Duke e copëzuar detyrën apo duke e ndarë atë në hapa, ne i japim fëmijëve mundësinë e frymëmarrjeve të vogla të përqëndrimit. Duke përfunduar një pjesë apo një hap të detyrës, fëmija ndjen se ka arritur ta përfundojë, dhe kjo ndijesi e mban motivimin e tij për të vazhduar më tej.

  • Përcaktoni kohën që është e nevojshme për të përmbushur detyrën!

Është efikase të vendosni një afat kohor për përfundimin e detyrës dhe fëmija juaj të ketë dijeni për këtë gjë. Duhet të keni parasysh që afati kohor të mos i kaloj 15 apo 20 minutat, pasi që fëmijët nuk mund të ruajnë përqëndrimin kaq gjatë. Tregoni kujdes që koha e nevojshme e përcaktuar të mos ndihet si presion për fëmijët tuaj, por të perceptohet si një mjet për menaxhimin e kohës.

  • Vendosni një sistem shpërblimi!

Shpërblimi mban gjallë motivimin dhe dëshirën për të vazhduar punën. Tregohuni të kujdesshëm të përzgjidhni për shpërblim çfarë fëmija juaj pëlqen më së shumti. Do të ishte shumë efikase nëse do t'i premtonit paraprakisht se pasi të përfundojë studimin ai do të luaj me lojën apo të bëjë aktivitetin e preferuar; të luaj me domino apo të shikoj një film. Dhe deri në përfundimin e studimit sigurohuni ta lavdëroni dhe përgëzoni pas çdo hapi apo pjese të përfunduar të detyrës.

  • Koha për t'u shpërqëndruar!

Duke u dhënë një kohë 2-4 minuta, për të shprehur gjithë energjinë e mundshme dhe për t'u shpërqëndruar në mënyrën e tyre menjëherë pas përfundimit të një detyre, në të vërtetë i ndihmoni ata të përqëndrohen më mirë në detyrën tjetër. Aktiviteti fizik është i lidhur ngushtë me aktivitetin mendor.

  • Kujdesuni për ushqimim të shëndetshëm!

Të ushqyerit lidhet drejtpërdrejtë me përqëndrimin. Sigurohuni që fëmija juaj është i ngopur përpara se të fillojë studimin. Është nevoja për ushqime të shëndetshme. Minimizoni ushqimet e pasura me sheqerna, mbani në dietën tuaj perimet, frutat dhe ushqime të tjera të pasura me proteina. Kështu do të rrisni fuqinë e trurit të të vegjëlve tuaj.

  • Kujdesuni për gjum të qetë dhe të mjaftueshëm!

Gjumi i mirë i natës freskon të menduarin dhe rrit përqëndrimin. Për fëmijët është i nevojshëm edhe pushimi i shkurtër 20 minutësh i drekës apo pasdites. Përpiquni ta ruani regjimin e gjumit.

Si çdo aftësi përqëndrimi mund të përmirësohet. Kushti është të jeni të qëndrueshëm në përpjekjet tuaja!

I. Alikaj

Create your website for free! This website was made with Webnode. Create your own for free today! Get started