Autizmi na flet që në muajt e parë! Si ta dëgjojmë atë…

01/15/2020

Shenjat e autizmit te bebet 0-12 muajsh

Çrregullimi i spektrit të autizmit është një çrregullim zhvillimor, që do të thotë se shenjat bëhen të dukshme pasi një fëmijë nuk zhvillohet siç pritej, për shembull zhvillimi i i të folurit ose të mësuarit zvarritet më vonë nga sa pritet.

Si e tillë, ka pak shenja të autizmit që vërehen te të sapolindurit. Sidoqoftë, nëse një fëmijë nuk përmbush gurët kilometrik të zhvillimit që priten për moshën 2 muajsh, 4 muajsh, 6 muajsh, 9 muajsh apo 1 vjeç; kjo mund të jetë një nga shenjat e para të autizmit apo të një gjendje tjetër zhvillimore.

Është mirë të dini: Jo të gjitha bebet i përmbushin gurët kilometrik të zhvillimit ekzaktësisht në të njëjtën kohë. Është normale të kemi disa ndryshime në zhvillim. Nëse dyshoni për zhvillimin e fëmijës suaj, kontaktoni një specialist zhvillimi.

Disa nga shenjat e hershme që mund të tregojnë se një bebe më pak se një vjeç mund të ketë çrregullimin e spektrit të autizmit, janë;

  • Mungesa e gugatjeve në muajin e katërt
  • Mungesa e buzëqeshjes në muajin e pestë
  • Mungesa e të qeshurës në muajin e gjashtë
  • Mungesa e interesit për lojra në muajin e tetë
  • Mungesa e përgjigjes ndaj emrit në muajin e dymbëdhjetë
  • Nuk shikon objektet që i tregojnë të tjerët në muajin e dymbëdhjetë
  • Zemërim dhe irritim ndaj zhurmave të forta
  • Nuk kërkon prindin për siguri dhe qetësim në situata të reja dhe të panjohura
  • Merr kënaqësi nga loja i vetëm për periudha të gjata kohore
  • Mungesa e kontaktit me sy.

Shenjat e autizmit te të vegjlit 1-2 vjeç

Disa nga shenjat që mund të tregojnë se të vegjlit, midis një dhe dy vjeç, mund të kenë çrregullimin e spektrit të autizmit, janë;

  • Mungesa e zhvillimit të aftësive gjuhësore, si "mama", "baba" për moshën 1 vjeç ose përdorimi i fjalive të thjeshta për moshën 2 vjeç.
  • Përsëritja e fjalëve në mënyrë të vazhdueshme
  • Mungesa e interesit për të luajtur lojra sociale ose përreth fëmijëve të tjerë
  • Mungesa e kontaktit me sy
  • Mungesa e imitimit të të tjerëve
  • Përfshirja në sjellje përsëritëse, si përplasja, lëkundja apo tundja e duarve.

Rreth 25-30% e fëmijëve me autizëm kanë zhvilluar disa aftësi gjuhësore deri në 18 muaj, por më pas fillojnë t'i humbasin ato. Disa fëmijë midis 1 dhe 2 vjeç mund të humbasin lojën ose aftësi të tjera sociale që ata i kanë zhvilluar.

Shenjat e autizmit te fëmijët 2-5 vjeç

Simptomat e çrregullimit të spektrit të autizmit zakonisht bëhen më të qarta në moshën 2 ose 3 vjeç. Por gama e sjelljeve dhe aftësive të përfshira këtu mund të bëhen me të dukshme midis moshës 2-5 vjeç.

Disa shenja që tregojnë se një fëmijë mund të ketë çrregullimin e spektrit të autizmit, janë;

  • Mungesa e shprehjes së emocioneve ose shprehja vetëm e një game të kufizuar emocionesh.
  • Vështirësi për të interpretuar emocione të ndryshme te të tjerët
  • Nuk duken të lidhur ngushtë me prindrit
  • Mungesa e interesit për të luajtur lojra sociale ose përreth fëmijëve të tjerë
  • Interes i shtuar për të luajtur me një lodër apo objekt të veçantë
  • Ekolalia, përsëritja e fjalëve apo shprehjeve të të tjerëve
  • Përsëritja e fjalëve të veta pa pushim
  • Përdorimi i gjuhës dhe shprehjeve në mënyrë formale, në vend të zhargonit të bashkëmoshatarëve.
  • Mungesa e plotë e zhvillimit të aftësive gjuhësore
  • Vështirësi në trajnimin e tualetit
  • Ka shpërthime inati ose kolaps sjellor
  • Sjellje agresive fizikisht
  • Sjellje sfiduese, si goditja e kokës në mur apo gërvishtja në lëkurë
  • Përfshirja në sjellje përsëritëse, si përplasja, lëkundja apo tundja e duarve.

Fëmijët me autizëm kanë vështirësi të kuptojnë atë që njerëzit e tjerë janë duke menduar apo ndjerë, dhe shpesh i humbasin dhe nuk i ndjekin shenjat sociale. Një fëmijë me autizëm mund të mos jetë në gjendje të tregojë ndryshimin midis një të rrituri që thotë "hajde këtu" duke qenë i lumtur dhe i qeshur dhe një të rrituri që thotë "hajde këtu" duke qenë i zemëruar dhe i nevrikosur. Kjo mund të na ngatërrojë dhe të krijojë përshtypjen që fëmija nuk është i lidhur me njerëzit.

Është mirë të dini: Ekolalia është një pjesë normale e zhvillimit gjuhësor të shumë fëmijëve dhe në përgjithësi vihet re përgjatë moshës 3 vjeç. Fëmijët me autizëm ka më shumë të ngjarë të vazhdojnë me ekolalinë edhe pas moshës 3 vjeç.

Shenjat e autizmit te fëmijët mbi 5 vjeç

Megjithëse çrregullimi i spektrit të autizmit mund të diagnostikohet në mënyrë të besueshme përgjatë moshës 2 dhe 3 vjeç, shumë fëmijë nuk marrin një diagnozë deri në fëmijërinë e vonë. Simptomat e buta te fëmijët me çrregullim të spektrit të autizmit që kanë një funksionim të lartë, mund të mos njihen derisa fëmija të filloj shkollën.

Autizmi është një gjendje spektri, që do të thotë se fëmijët do të kenë përvoja të ndryshme të jetës së përditshme. Fëmijët që janë më shumë se 5 vjeç deri në vitet e para të adoleshencës, të cilët kanë simptoma të buta dhe i përkasin gamës më të lartë të funksionimit të spektrit të autizmit, mund të përfshijnë;

  • Interesa të ngushta apo gati obsesive lidhur me tema të caktuara
  • Përfshirje në sjellje përsëritëse, si përplasja, lëkundja, tundja e duarve apo këputja e një shiriti gome
  • Nuk vendosin kontakt me sy
  • Kanë vështirësi me ndërveprimet shoqërore.
  • Nuk kuptojnë emocionet e të tjerëve ose të vetes së tyre.
  • Preferojnë të jenë vetëm
  • Shmangin kontaktin fizik
  • Kanë zakone të papërshtatshme të gjumit
  • Përdorimi i gjuhës dhe shprehjeve në mënyrë formale, në vend të zhargonit të bashkëmoshatarëve.
  • I japin një rëndësi shumë të madhe rregullave dhe rutinave
  • Zhvillojnë preferenca të forta për ushqime, rroba apo objekte të caktuara.


Fëmijët të cilët kanë simptoma të ashpra dhe i përkasin gamës më të ulët të funksionimit të spektrit të autizmit, mund të përfshijnë;

  • Mungesën totale të fjalorit
  • Dëshpërim te jashtëzakonshëm nga ndryshimet në rutinë
  • Performimi i sjelljeve sfiduese, të tilla si agresiviteti apo përplasja e kokës në mur.
  • Kanë nevojë për mbështetje në aktivitetet e përditshmërisë, si për veshjen apo larjen.
  • Përfshirja në sjellje përsëritëse, si përplasja, lëkundja apo tundja e duarve
  • Këmbëngulja për rregullat dhe rutinat.
  • Zhvillojnë preferenca të forta për ushqime, rroba apo objekte të caktuara.
  • Kanë nevojë për dieta të specializuara.

25-50% të fëmijëve me autizëm nuk zhvillojnë aftësi të komunikimit verbal. Si e tillë, një pjesë e konsiderueshme e fëmijëve me çrregullimin e spektrit të autizmit do të bëhen adoleshentë dhe të rritur jo verbal.

I.Aliraj

Create your website for free! This website was made with Webnode. Create your own for free today! Get started