5 këshilla si të përmirësojmë sjelljet e fëmijëve

05/07/2018

Një nga shqetësimet e prindërve është se fëmija i tyre nuk i dëgjon. Shpesh ankohen së djali/vajza është shumë rebele dhe nuk u bindet. Fëmijët janë imitues shumë të mirë dhe mënyra më e mirë për tu mësuar një sjellje është modelimi. Pra nëse duam tu mësojmë fëmijëve se një sjellje është e gabuar dhe se ka mënyra më të përshtatshme për të reaguar në situata të caktuara, duhet tua tregojmë si ta bëjnë këtë gjë dhe duke u shpjeguar dhe modeluar atë që ne bëjmë në situata të ngjashme me atë të fëmijës. Është shumë e rëndësishme të theksohet se sjellja jonë u përcjell fëmijëve mesazhe të caktuara në situata të caktuara. Për këtë arsye nuk duhet të bëjmë kujdes vetëm për atë që themi, por edhe me qëndrimin që ne mbajmë.

Disa rregulla që mund të ndjekim për të ndryshuar sjellje të papërshtatshme të fëmijëve janë:

  • Mos u dorëzoni: nëse fëmija juaj kërkon diçka dhe ju nuk mund tja jepni për shumë arsye dhe ai fillon të qajë ose të ngrejë tonin e zërit është shumë e rëndësishme ti qëndroni e bindur mendimit tuaj. Nuk duhet të bini pre e tundimit që ti jepni fëmijës atë që ai/ajo do që të qetësohet. Sepse në këtë mënyrë do i përforconi sjelljen dhe mesazhi që fëmija merr në këtë rast do të ishte që ai mund të qajë ose të bërtasë për të marrë atë që do. Duhet ta lini fëmijën të qetësohet. Pasi të jetë qetësuar, shpjegojini fëmijës duke argumentuar arsyet pse ju nuk mund tja jeoni atë që ai po ju kërkon. Kjo sjellje e juaja do ti japë fëmijës mesazhin se ai nuk mund ti marrë gjërat që do duke qarë osë bërtitur dhe që disa gjëra për disa arsye të caktuara nuk mund ti ketë.
  • Qëndroni i/e qetë dhe i/e përmbajtur: Mos harroni se jeni ju që edukoni dhe modeloni sjelljet te fëmija juaj. Ju do të jeni më të zotë për të menaxhuar sjelljet e fëmijëve tuaj, nëse do të mundeni të keni nën kontroll emocionet tuaja. Edhe pse fëmija juaj është duke komunikuar me tone të larta apo me një ton agresiv, është e rëndësishne që toni juaj i zërit të jetë i qetë. Kështu do i përcillni fëmijës qetësi dhe siguri. Nëse ju do komunikoni me fëmijën me tone të larta të zërit, me tone agresive apo kërcënuese thjesht do të rrisni zemërimin dhe inatin e tij. Nëse e shikoni se fëmija është duke kaluar një moment zemërimi atëherë lëreni të qetë derisa të qetësohet. Është e rëndësishme që kur të bisedoni të argumentoni qëndrimin tuaj, por ai do tju dëgjojë dhe kuptojë pasi të jetë qetësuar.
  • Injoroni sjelljet negative dhe përforconi sjelljet pozitive: të gjithë prindërit e kanë pyetur një herë veten pse fëmija i tyre është kaq rebel dhe kur ata i kërkojnë të qetësohet ai bën më keq. Kjo ndodh sepse kur një fëmijë qan ne i kërkojmë të qetësohet, kur një fëmijë bërrtet ne i kërkojmë të ulë zërin. Shpesh herë ne ua kërkojmë këtë gjë në mënyrë autoritare. Në këtë mënyrë ne thjesht shtojmë dozat e inatit dhe rebelimit te fëmijës. Është e rëndësishme që fëmijës të mos i vendosen në dukje sjelljet apo reagimet e papërshtatshme, por të përforcohen dhe shpërblehen sjelljet pozitive. Psh nëse një fëmijë është duke qarë dhe duke këmbëngulur që të mos e bëjë një detyrë që i është caktuar. Do të ishte mirë që fëmija të lihej të qetësohej pa i folur, të mos i kërkohet të qetësohet ose ti komunikohet vetëm që kur të qetësohet do të mund të flasin. Dhe menjëherë sapo fëmija të jetë qetësuar mund të përgëzohet 'jam shume e lumtur që u qetësove, tani mund të flasim dhe mund të më thuash çfarë ndjen'. Në këtë mënyrë i përcillni fëmijës dy mesazhe: e para që duhet ti kërkojë gjërat duke komunikuar qetësisht dhe se nuk është e nevojshme të qajë dhe së dyti se ttdo ndjenjë e tij ka rëndësi për ju dhe se ju do të jeni aty për ta dëgjuar.
  • Përdorini pasojat: përdorimi i konsekuencave është arma më e fortë që kemi për modelimin e një sjelljeje te fëmijët. Duhet që tja bëjmë të qarta fëmijëve pasojat e një sjelljeje negative dhe përfitimet e një sjelljeje të mirë. Kjo do ju ndihmojë në shumë mënyra. Fëmijët do të jenë të ndërgjegjshëm që nëse bëjnë diçka që ju nuk e pëlqeni do të humbasin diçka që ata e duan shume. Dhe normalisht që ata do të bëjnë të pamundurën që të ruajnë sendet e tyre të preferuara. Gjithashtu nëse ju dëshironi që ata të bëjnë disa punë mjafton të vendosni një shpërblim. Nëse ju i kërkoni fëmijëve të rregullojnë shtratin çdo mengjes atëherë duhet tju jepni një shpërblim për çdo herë që ata rregullojnë krevatin. Shpërblimi duhet të jepet sa herë që ata bëjnë sjelljen që ju dëshironi, por nuk ndëshkohen nëse nuk e bëjnë atë sjellje, thjesht humbasin të drejtën e shpërblimit.
  • Prisni momentin e duhur për të biseduar: nëse keni diçka të rëndësishme për ti treguar ose kërkuar duhet të gjeni momentin e duhur. Rëndësia e situatave shpesh varet edhe nga gjëndja emocionale. Nëse e shikoni se fëmija juaj është i mërzitur apo ndjehet i lodhur ndoshta nuk është momenti i duhur për ti kërkuar që ai të rregullojë krevatin. nëse fëmija është i acaruar atëherë do të ishte mirë të prisnit derisa fëmija të qetësohet për të biseduar rreth asaj që juve ju shqetëson. Kjo sepse nëse ju do të flisni në momente kur fëmija është i frustruar apo i zemëruar atëherë ai nuk do ju dëgjojë, nëse do të jetë i lodhur nuk do të mund të përqëndrohet te ajo që ju jeni duke i kërkuar. Momenti dhe gjendja emocionale janë tregues të rëndësishëm për të paraashikuar sjelljen e çdokujt. thjesht duhet të gjejmë momentin e duhur.
  • K. Zaka
Create your website for free! This website was made with Webnode. Create your own for free today! Get started